Biblioteka publike "Marin Barleti" u themelua në vitin 1931 në një lokal të thjeshtë në qendër të qytetit që nga shkodranët thërritej "Milet Bahçe". Fondi fillestar i librave të kësaj biblioteke u financua nga vetë  Bashkia e Shkodrës. Librat e parë të kësaj biblioteke mbajnë vulën e Bashkisë së atëhershme. Krijimi i kësaj biblioteke ishte fryt i një tradite të vyer të qytetit shkodran, traditë e filluar që në mesjetë, e vijuar më pas me bibliotekën Bogdani, dhe atë të Myftiut të Tabakëve. Biblioteka të rëndësishme të Shkodrës kanë qënë edhe ato të institucioneve fetare siç ishte biblioteka e Medresesë së Naltë pranë Kalasë, bibliotekat e çmuara të etërve Jezuitë (1858) dhe atyre Françeskanë (1875).

Për t'u njohur më në detaje rreth kësaj vatre kulturore dhe me vlera historike ne kemi intervistuar, drejtorin e kësaj biblioteke, z. Gjovalin Cuni.

-Në lidhje me historikun, themelimin dhe fillesat e bibliotekës z. Cuni për mikrofonin e radio "Zëri i Turqisë" tha:

"Biblioteka Publike “Marin Barleti” është njëra prej bibliotekave në sistemin e bibliotekave që ka qyteti i Shkodrës, të cilat janë biblioteka të shumta dhe mund të grupohen në biblioteka të institucioneve shtetërore, në biblioteka të institucioneve private dhe në biblioteka personale, pronë private e studiuesve dhe dashamirësve të librit që ndodhen në qytetin e Shkodrës.

Nëse flasim për bibliotekën “Marin Barleti” duhet të themi që kjo bibliotekë është vijim i një tradite bibliotekare që Shkodra ka patur ndër shekuj.

Biblioteka “Marin Barleti” nuk ka një akt të saktë themelimi. Akti i themelimit është nxjerrë nga studimi i studiuesve të ndryshëm që kanë bërë rreth kësaj biblioteke, por edhe nga dëshmitë gojore. Nga këto materiale lind ideja që biblioteka publike e qytetit tonë është themeluar rreth viteve 1929-1934. Për arsye, sepse  gjejmë të dhëna që është formuar në vitin 1929, të dhëna që është formuar në vitin 1931, dhe të dhëna që është formuar në vitin 1934. Mjaftë interesante është p.sh, një dëshmi gojore e një nëpunësi të bashkisë së Shkodrës, të vitit 1929, i quajtur Nush Gurakuqi, i cili në dëshminë e tij gojore ka dhënë elementet e parë të formimit të bibliotekës publike të qytetit tonë. Sipas tij, ka qënë nisma e studentëve të ndryshëm që studiuonin në vende të ndryshme të Europës dhe ndihma e donatorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj që kanë çuar në themelimin e bërthamës së bibliotekës publike të qytetit.

Në dëshminë e tij, Gurakuqi jep vendin ku u themelua kjo bibliotekë. Më pas jep ato persona të cilët kanë shërbyer në bibliotekë. Dhe sipas tij, vendi ku u themelua biblioteka pasi u grumbulluan librat, ashtu sikurse në tërë vendet e Europës së zhvilluara, por edhe të lashtësisë, ishte pak a shumë  një vend ose në një pozicion, ku u vendos biblioteka që ishte afër lexuesve dhe afër publikut. Në rastin tonë biblioteka e parë u vendos në një vend, i cili ishte hapur për publikun dhe në popull ishte emërtuar “Milet Bahçe”. Natyrshëm ishte lulishtja popullore në të cilën u vendos kjo bibliotekë. Kjo lulishte ishte themeluar nga valiu (osman) i Shkodrës në vitin 1868, i cili zbriti nga kalaja, e cila ishte qendra administrative dhe ju afru qëndrës administrative  të qytetit. Valiu i Shkodrës ndërtoi këtë lulishte popullore dhe brenda kësaj lulishte  kishte  edhe vendin e vetë, ku shërbehej me kafe, ku shkëmbente ndonjë mendim,dhe së bashku me këtë vend, i cili ishte shumë funksional, natyrshëm që në vitet 1929 u vendos biblioteka, me qëllimin që ky institucion kulture të ishte pranë lexuesve.

Është mjaftë interesant që në dorëshkrimin e tij Gurakuqi jep disa të dhëna rreth kësaj biblioteke. Kjo bibliotekë ka dhe mjaftë libra të cilat janë dhurata dhe dhuratat vinin jo vetëm nga qytetarët e Shkodrës, por vinin edhe nga diplomatë të ndryshëm, të cilët ose ishin vendosë në qytetin e Shkodrës ose shpesh herë vizitonin Shkodrën"... 

-Ndërsa në lidhje më bibliotekën e sotme publike të Shkodrës, z, Cuni u shpreh:

Ndërsa po të flasim për bibliotekën e sotme, bibliotekën “Marin Barleti” ajo është themeluar në vitin 1945. Bazë për themelimin e kësaj biblioteke ka qënë jo vetëm biblioteka publike e themeluar ne vitet ‘30 të shekullit të kaluar, por nga ana tjetër  dhe një pjesë e inventarit të çmuar që kishin bibliotekat, sidomos ato të institucioneve fetare katolike dhe islame, të cilat pas viti 1945 pa drejtësisht u shtetëzuan dhe një pjesë e tyre të inventarit ju dhurun edhe bibliotekës së qytetit tonë. Këto përbëjnë bazat për krijimin ose për funksionimin e mëtejshëm të kësaj biblioteke dhe pasuria që u vendos në bibliotekën e qytetit bëri që biblioteka e qytetit të Shkodrës të jetë edhe në ditët  e sotme një ndër bibliotekat më të vyer përsa i takon trashigimisë kulturore që mbanë libra të ndarë në fondet e saja.

Në ditët tona, biblioteka “Marin Barleti” qëndron në ndërtesën e re, e cila është ideuar dhe ndërtuar në vitin 1968. Që nga viti 1968 e deri në ditët tona natyrshëm që kanë ndodhë ndryshime të mëdha..."

- Por ç'farë fondesh ka kjo bibliotekë dhe sa janë të interesuar lexuesit e saj të përfitojnë prej librave të ndryshëm që dispunon ky intitucion mjaf i rëndësishëm  kulturor?

"Sa i takon fondeve që ka kjo bibliotekë duhet të themi që fondet lidhen me organizimin e punës në bibliotekë. Natyrisht organizimi i fondeve bëhet në përputhje me qëllimin final që ka çdo bibliotekë.

 Që ti shërbejë interesave të lexuesve, duke filluar nga mosha e vogël deri në moshën e shtyrë ose siç themi ndryshe deri në brezin e tretë. Sot, biblioteka jonë ka fonde të çmuara që i takojnë sidomos albanologjisë, fondit që i takojnë balkanologjisë, fondi i perëndimit në të cilën ruhen libra pak a shumë në gjuhën latine, pastaj vijnë fonde të tjera, siç është fondi i fëmijëve, fondi i librit shqip, mediateka që është një element i ri që i është shtuar bibliotekës sonë, fondi i librit të digjitalizuar etj.

Biblioteka ruan në fondet e saja rreth 270 mijë kopje dhe afërsisht rreth 80 mijë tituj. Por krahas librave, biblioteka ka edhe mjete të tjera siç janë hartat, mjetet vizive, internet, vende çlodhjeje dhe ka krijuar të gjithë  ambiente të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, kryesisht takime me shkrimtarë, promovime librash etj..." 

-Drejtuesi i këtij intitucioni mjaft të rëndëshëm, renditë disa nga bibliotekat e rëndësishme të Shkodrës, mbi të cilat është mbështetur biblioteka publike "Marin Barleti" ndër shekuj...

Ashtu siç e thash edhe më parë, biblioteka “Marin Barleti” është vazhdimësi e traditës së vyer që ka patur qyteti i Shkodrës në fushën e bibliotekave. Biblioteka të evidentuara në qytetin e Shkodrës janë që nga fundi i shekullit XVII, kështu në vitin 1683 kemi bibliotekën e “Bogdanit”,në vitin 1750 kemi bibliotekën e “Myftiut të Tabakëve” ose siç njihet biblioteka “Këllyçi”, në vitin 1858 kemi bibliotekën e “Etërve Jezuit”, në vitin 1875 biblioteka e “Françeskanëve". Pastaj, vijnë biblioteka të shoqërive të ndryshme kulturore që kanë qënë jo të pakta në qytetin e Shkodrës, siç është ajo e vitit 1899 e “Shoqërisë Bashkimi”, e vitit 1901 e “Shoqërisë Agimi”, e vitit 1911 “Klubi Gjuha Jonë”, 1917 “Komisia Letrare”, dhe 1919 “Shoqëria Vëllaznia”.

Nëse i shohim bibliotekat për sa i takon pasurive të tyre bibliografike, atëherë ne shohim se këto biblioteka kanë mbajtur në gjirin e tyre vepra mjaftë të rralla.
Kështu, në bibliotekën e “Jezuitve” janë ruajtur libra të çmuar të letërsisë dhe historisë kombëtare, vepra të Bogdanit, të Farlatit, të Rossit, Francesko da Lecce, studime albanologjike të Mayerit, të Hannit, të Kamardas etj. Ashtu si çdo lloj biblioteke edhe biblioteka e “Jezuitëve” ka patur fonde të ndryshme dhe dhoma të ndara, në të cilat qëndronin libra të bazuara në trajtesa lëndore.

Në bibliotekën e “Françeskanëve”, një tjetër bibliotekë e pasur e qytetit tonë e formuar në vitin 1875, ka pasur rreth 15 mijë vëllime, ku krahas vëllimeve në këtë bibliotekë janë ruajtur dhe mjaftë dorëshkrime. Dorëshkrime të françeskanëve të famshëm siç kanë qënë dorëshkrime të Fishtës, Gjeçovit, Zarishtës, Marlaskaj etj.

Libri më i vjetër që ka pasur kjo bibliotekë ka qenë një libër i vjetër i “Akademisë së Voskopojës”, i cili është cilësuar si libri më i vjetër i kësaj biblioteke dhe i ka takuar vitit 1594. Një fakt mjaft interesant për këtë bibliotekë na jep dhe At. Zef Pllumi, i cili ka qenë një françeskan që është marrë me administrimin e bibliotekës, pra ka qenë në rolin e kujdestarit të saj dhe At. Zef Pllumi shënon: ”Në fondet e kësaj biblioteke gjendet edhe një kronikë që është shkruar në italisht prej Dalmatinit At.  Rasmo Balneso, i cili ka qënë konstruktori i vërtetë i Pashallëkut të Shkodrës”, pra ka dhënë një ndihmë për ndërtimin e Pashallëkut të Shkodrës dhe nga ana tjetër ka qenë konstruktori i të parit bashkëpunim historik ndërmjet myslimanëve dhe kristianëve për të krijuar një shtet të pamvarur shqiptarë.

Me një vlerë të veçantë sa i takon sistemit të bibliotekave në qytetin e Shkodrës kanë qenë dhe bibliotekat orientale dhe mes dy bibliotekave më të mëdha orientale ka qenë: biblioteka e "Myftiut tëTabakëve” si dhe biblioteka e “Vakëfit” të Shkodrës ose biblioteka e “Bushatlijve”. 

-Ju permendet që kolona të kësaj biblioteke publike përveç bibliotekave të çmuara si të etërve Jezuitë dhe atyre Françeskanë, të Bogdanit etj, janë edhe biblioteka e Myftiut të Tabakëve, të medresesë së Naltë pranë kalasë së Shkodrës, etj, ku thuhet se në Shkodër ka pas mbi 25.000 volume, vetëm në gjuhën klasike orientale(persisht, turqisht dhe arabisht).…A mund të na përmendni më konkretisht se çfarë librash përmbajnë këto biblioteka që kanë kontribuar në themelimin e një biblioteke gjithëpërfshirëse…?

Nëse dëshirojmë të dijmë diçka për bibliotekën e “Tabakëve” duhet të themi se ajo është themeluar në vitin 1750 nga Isuf Tabaku dhe kjo bibliotekë mes librave të çmuar ka patur edhe traktet astronomike të Hoxha Tahsimit të botuara në Paris, në vitin 1884.

Në dorëshkrimet historike të Isuf Tabakut është edhe një “Abc” shqipe e botuar në Stamboll e botuar në vitin 1900. Natyrshëm duke qënë një bibliotekë e tipit oriental, kjo bibliotekë gjithnjë ka zgjuar interesat jo vetëm të studiuesve vendas, por edhe studiuesve të huaj, të cilët në vizitat e ndryshme që kanë bërë në qytetin e Shkodrës përpiqeshin të hulumtonin edhe këto lloj bibliotekash. Kështu, sipas dëshmive që ka lënë një nga studiuesit e bibliotekave,Filip Fishta thuhet që: Një nga specialistët orientalë më të shquar të kohës siç ka qënë Rossi, i cili kur e ka parë bibliotekën e “Tabakëve” është mahnitë nga kjo bibliotekë sa i takon pasurive të shumta që ka kjo bibliotekë dhe ka lënë një shënim sipas të cilit: Biblioteka e "Myftisë së Tabakëve” natyrshëm që paraqet interes për lëndën e rëndësishme që ajo mban, veçanërisht për dorëshkrimet që ka.., që sipas Rossit për nga ana e përpilimit u përgjigjet pak a shumë kronikave të latinëve dhe të atyre të mesjetës...

Biblioteka e "Myftisë së Tabakëve” apo siç njihet edhe ndryshe biblioteka “Këllyçi” shquhet edhe për organizimin e saj. Krahas inventarizimit biblioteka përdori dhe lloje të ndryshme klasifikimi lëndor. Në bibliotekën “Këllyçi” të gjithë librat ishin të ndara në 27 lëndë dhe për lehtësi të përdoruesit biblioteka “Këllyçi” zotëronte një skedar alfabetik dhe një skedar kronologjik. Numri i librave që ndodhej në bibliotekë dhe kryesisht dorëshkrime është diku tek 1900, ndërsa tek dorëshkrimet janë 200 copë.

Kjo bibliotekë në rrjedhën e viteve u dëmtua kryesisht për shkaqe natyrore, ndërsa një pjesë e librave të kësaj biblioteke kanë qënë të vendosur në bibliotekën e qytetit të Shkodrës, pasi janë dhuruar nga nipi i Isuf Tabakut, H.Esatit të bibliotekës. Dhe këto kanë qënë të vendosura për shumë kohë në fondet e bibliotekës. Tani më ato nuk janë në fondet e bibliotekës, ato një pjesë i kanë marrë familjarët, dhe një pjesë Myftinia, e cila po mundohet që të riorganizojë edhe një herë bibliotekat të tipit oriental.

- Z. Cuni rrëfen edhe për një tjetër bibliotekë të rëndësishme që ka lënë gjurmë në pasurimin e fondeve të librave të ndryshëm oriental dhe ajo është...!

Një tjetër bibliotekë mjaft e vyer e qytetit të Shkodrës është edhe biblioteka e “Vakëfit” të Shkodrës ose ndryshe siç e quajmë biblioteka e “Bushatlinjve”. Biblioteka e “Vakëfit” të Shkodrës është themeluar në fund të shek. XVIII nga Mehmet Pashë Plaku. Mehmet Pashë Plaku ishte iniciator, më vonë pasardhësit e tij u kujdesën për të shtuar pasuritë e kësaj biblioteke. Biblioteka kishte mijëra volume që sipas Hamdi Bushatit janë sjellë kryesisht nga bota e jashtme dhe librat dhe dorëshkrimet ishin në gjuhë të ndryshme në arabisht, në persisht, në turqisht etj.

Këto biblioteka, ashtu si dhe biblioteka “Këllyçi” tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të huaj dhe studiuesve të bibliotekave orientale, mes të cilëve dhe të anglezit Urkuard, i cili na ka lënë shënime për këtë bibliotekë që thotë: “Mustafa Bushatliuka qënë një njeri serioz dhe kishte mëkëmbë një bibliotekë me libra në frëngjisht, në turqisht, të cilat më së fundi ia fali vakëfit”.

Nga ky konstatim del se Mustafa Bushatliu, një nga pinjollët e familjes së Bushatlinjve, të gjithë veprat e përdorimit të tij i'a fali vakëfit. Ishin libra në një sasi rreth 3000 copë me një përmbajtje teologjike, juridike, fetare, shkencore etj, të cilët sundimtari i Shkodrës i'a fali vakëfit si një mundësi për të hapë horizonte të atyre që studionin në këto shkolla.

Në librat e rrallë që ka patur biblioteka e “Bushatlinjve” ka qënë historia e “Ibn Halludenit” e përkthyer nga turqishtja. Historia e Xhevdet Pashës në 12 volume, pastaj kanë qënë tekste fizologjike, të Ibn Sinas ose Avicena siç e quajmë, Ibn Ruzhdi - Ave Roe, Gazali, Razis, etj.

Shumë vepra që ka patur kjo bibliotekë kanë qënë dhe në dorëshkrime, ku mes teksteve në dorëshkrime është një libër i shkruar shqip prej Tahir Efendi Gjakovame titullin “Vehibije”dhenjë histori turqisht e Ahmet Pashë Dugagjinit.

Është mjaft e rëndësishme që edhe këtu sundimtari jo vetëm që dhuron libra, jo vetëm blenë, jo vetëm pasuron në mënyrë të vazhdueshme bibliotekën, por nga ana tjetër kujdeset edhe për sistemimin e bibliotekës, kujdeset për mirëadministrimin e kësaj biblioteke, në mënyrë që këto pasuri të mos shpërdoroheshin.

Edhe deri në ditët tona, ekziston vula personale që ka përdorur Mustafa Pasha gjatë kohës që ishte në Shkodër, por edhe pasi u largua nga Shkodra. Gjatë kohës që ishte në Shkodër, të gjithë librat janë vulosur me vulën e tij të veçantë. Ndërsa, kur u largua dërgoi një vulë për bibliotekën e tij dhe vula e përdorur kishte këtë mbishkrim: “Mbështetja ime është Zoti, dhe Ai është i mjaftueshëm nga libra të cilat i ka bërë vakëf. I përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga Veziri i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i Përhershëm”...

 -Veprimtarinë e saj, biblioteka e Shkodrës e mbështet edhe në lidhjet e vazhdueshme që ka më një rrjet të tërë bibliotekash që veprojnë në Shkodër, ku mund të veçojmë bibliotekën e re të universitetit, atë të muzeut historik, bibliotekën "Gjergj Fishta", bibliotekën e Seminarit Ndërdiocezan, bibliotekën e Myftinisë, bibliotekën e institutit turk "Yunus Emre", ato shkollore si dhe bibliotekat personale.

Biblioteka "Marin Barleti" ka lidhje edhe me biblioteka të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke synuar kthimin e saj në parametrat bashkëkohorë të bibliotekave moderne...

Sot, ne kemi arritur të krijojmë bibliotekën digjitale. Biblioteka digjitale ka një sërë librash, revistash dhe gazetash numri i të cilave arrin në 46. Ne kemi në online 9 tituj librash, 3 koleksione revistash, 1 koleksion gazete etj. Numri i fletëve të digjituara është 28 mijë faqe. Jo e gjithë puna që kemi bërë është e pasqyruar në faqen tonë të bibliotekës. Mungesa e një hapësire në server për të pasqyruar tërë punën tonë na bën që punën që ne bëjmë në bibliotekë ta bashkëndajmë me rrjetet e tjera, në pamundësi për ta publikuar në faqen tonë.

Nga ana tjetër, mjetet me të cilin ne e kemi realizuar digjitimin e këtyre librave janë mjete të një cilësie jo shumë të naltë teknike, pasi mungojnë mjetet monetare dhe financiare për të blerë pajisjet e duhura bashkëkohore...

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI