Më 8 gusht 2017, në Skenën Verore të Ulqinit (në kalanë e këtij qyteti) u bë prezantimi i dy librave të botuara nga shtëpia botuese “DITI & OLI” me përfaqësues z. Gazmend ÇITAKU.
Librat e botuar ishin: “Fejesa n’djep a se Ulqini i marrun” (ribotim) i Ndoc Nikajt dhe studimi “Në kërkim të një drame ndryshe” i autorit Gëzim Puka.
Botimi i këtij libri u mundësua nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i Malit të Zi.
Në veprimtarinë promovuese morën pjesë drejtori i Bibliotekës “Marin Barleti”, z. Gjovalin Çuni dhe Gëzim Puka lektor në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Takimi me autorët u drejtua nga Gazmend ÇITAKU.
Në këtë foltore u theksua rëndësia e ribotimit të letërsisë së traditës dhe u evidentuan disa nga autorët më përfaqësues të dramës shqipe bashkëkohore.