Përjetuam sot me dhimbje lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e dramaturgut të shquar Fadil Kraja. Si autor me një krijimtari të madhe dhe të larmishme në fushën e letërsisë, ai ishte një nga miqt më të afërt dhe të rëndësishëm të Bibliotekës “Marin Barleti”.
Stafi i Bibliotekës “Marin Barleti” i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe komunitetit të artistëve.
Fadil Kraja u lind në Shkodër, më 11 tetor 1930.
Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkodres ku spikati me talentin për letërsinë. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi.
Fadil Kraja punoi me përkushtim për shumë vite në fushën e arsimit duke edukuar nxënës e studentë që u shquan më pas në fusha të ndryshme, veçanarisht në letërsi dhe art.
Me vonë ai punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Nga viti 1972 deri më 1992 ka qenë shkrimtar në profesion të lirë, duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës.
Krijimtaria e tij është shumë e larmishme në gjininë e poezisë, prozës dhe dramës të cilës ai iu përkushtua me shumë pasion.
Vëllimet poetike:
"Kënga ime", "Melodi malësore", "Jehona malesh", etj.
Vëllime me tregime:
"Kandidatja e fundit", “Ndodhitë e Nereidës”, "Fajin e kishte Besa".
Romane:
“Britma e një gruaje”, “Pengu i diellit”, “Balada e nënës”, etj.
Drama: Ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë, etj.
Fadil Kraja është fitues i dhjetra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.
Ai është Laureat i Çmimit të Republikës.
Është nderuar me titujt: "Mjeshtër i madh", “Urdhëri Kalorësi i Flamurit”, “Krenaria e qytetit të Shkodrës”, etj.