Çdo shtetas në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga raca, mosha, seksi, kombësia formimi arsimor e kulturor, gjendja sociale, bindjet politike dhe përkatësia fetare ka të drejtën e shërbimit bibliotekar ( Kreu II, Neni 6-të i Ligjit, nr.8576, datë 3.02.2000 Për bibliotekat në Shqipëri)
Biblioteka publike e qytetit tonë u themelua në vitin 1931 në një lokal të thjeshtë në qendër të qytetit që nga shkodranët thërritej "Milet Bahçe". Fondi fillestar i librave të kësaj biblioteke u financua nga vetë Bashkia e Shkodrës. Librat e parë të kësaj biblioteke mbajnë vulën e Bashkisë së atëhershme. Krijimi i kësaj biblioteke ishte fryt i një tradite të vyer të qytetit tonë, traditë e filluar që në mesjetë, e vijuar më pas me bibliotekën Bogdani, dhe atë të Myftiut të Tabakëve. Biblioteka të rëndësishme të Shkodrës kanë qënë edhe ato të institucioneve fetare siç ishte biblioteka e Medrezes së Naltë pranë Kalasë, bibliotekat e çmuara të etërve Jezuitë (1858) dhe atyre Françeskanë (1875).
Krijimi më 1917 në Shkodër i bibliotekës së Komisisë letrare duhet të konsiderohet si djepi i krijimit të së parës bibliotekë publike shqiptare. Në vitin 1921 kjo bibliotekë e transferuar në Tiranë do të bëhej bërthama e Bibliotekës Kombëtare të sapongritur. Në historinë e gjatë të traditave bibliotekare të qytetit të Shkodrës një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe bibliotekat e shoqërive kulturore dhe ato private. Në vitin 1945 me mbylljen e institucioneve fetare dhe organizimeve shoqërore, një pjesë e fondit të bibliotekave të tyre i kaluan në zotërim bibliotekës publike. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe ndihmat e qytetarëve shkodranë për pasurimin e fondeve të saja. Biblioteka e qytetit ka lëvizur disa herë në godina të ndryshme. Në vitin 1946 vendos tek Muzeu i Vjetër apo Sahati i Inglizit siç cilësohet në gjuhën e popullit, e më vonë në ndërtesën e sotme të Bashkisë. Në vitin 1968 u vendos në godinën që është sot dhe mori emrin "Marin Barleti". Biblioteka ruan në fondet e saj libra të shekullit XV-XVI të shtypur në qendra të mëdha të Europës si: Gjermani, Zvicër, Paris, Itali etj., të cilët dallohen nga teknika e shtypjes dhe bukuria e tyre në paraqitje.
Koleksionet e çmuara që ka biblioteka e kanë kthyer atë në një qendër të rëndësishme shkencore, sidomos sa i takon shkencave humane dhe filologjike. Bazuar në fondin e librave në gjuhën shqipe, në fondin e periodikut, në bibliotekën e fëmijëve si dhe në mjetet e kërkimit, biblioteka është kthyer në një qendër promovimi dhe garantimi të edukimit të vazhdueshëm të qytetarëve. Ambientet e bibliotekës shpesh herë përdoren edhe për veprimtari kulturore, promovime librash, hapje ekspozitash etj. Numri i vizitorëve në bibliotekë gjatë vitit është rreth 9000. Numri i lexuesve me kartela në vitin 2007 ishte 5000. Ata, tërhoqën 26.500 libra. Çdo vit në bibliotekë zhvillohen rreth 13 aktivitete të ndryshme. Veprimtarinë e saj biblioteka e mbështet edhe në lidhjet e vazhdueshme që ka me një rrjet të tërë bibliotekash që veprojnë në Shkodër, ku mund të veçojmë bibliotekën e re të Universitetit "Luigj Gurakuqi", atë të Muzeut Historik, Bibliotekën "Gjergj Fishta", Bibliotekën e Seminarit Ndërdiocezan , Bibliotekën e Myftinisë, ato shkollore si dhe bibliotekat personale.
Biblioteka "Marin Barleti" ka lidhje edhe me biblioteka të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ajo është e përfshirë në projektin Interreg IIIA dhe "Hadriati-cum" duke synuar të përfshihet edhe në projekte të tjera.
Një proces i plotë ristrukturimi ka filluar në bibliotekë duke synuar kthimin e saj në parametrat bashkëkohorë të bibliotekave moderne.
Nuk mund të lëmë pa përmendur në punën e nisur ndihmën e Kryetarit të Bashkisë, zotit Lorenc Luka, si dhe ndihmën bujare të RAIFFEISEN Bank.
Në këtë rast i drejtohemi të gjithë shoqatave, institucioneve si dhe personave privatë, që të ndihmojnë bibliotekën e qytetit brenda mundësive që kanë, duke u kujtuar të gjithëve se bibliotekat janë krijesa për brezat në shërbim të brezave.
Katalogu i bibliotekes se Shkodres për libra periodike etj
Katalogu i përbashkët i bibliotekave të Shqipërisë
Libra e periodike te skanuara ne formatin PDF te shkarkueshme