Hene - Premte : 08.00- 16.00; E-Shtunë: 08.00-13.30
Veprimtari Shkencore kushtuar veprës letrare të Hamid Gjylbegaj
Në
kuadrin e njohjes dhe studimit sa më të plotë të veprimtarisë letrare
të autorëve shkodranë, Biblioteka "Marin Barleti" zhvilloi veprimtarinë
shkencore kushtuar veprës letrare të shkrimtarit Hamid Gjylbegaj.
Aktiviteti u hap me vargje të poetit, të interpretuara nga aktori Zef
Ndoja. Në vazhdim drejtori i Bibliotekës, Maxhid Cungu përshëndeti të
pranishmit dhe foli mbi jetën e shkrimtarit dhe atdhetarit Hamid
Gjylbegaj. Më pas studiuesit që morën fjalën paraqitën kumtesat
e tyre. Shkrimtari Arjan Leka, punojës shkencor pranë Institutit të
Letërsisë Tiranë njëkohësisht njohës i mirë i Gjylbegajt, foli mbi disa
koncepte të krijimtarisë së tij. Pedagogu i Letërsisë Gëzim Puka trajtoi
aspekte të përmbajtjes dhe të stilit të veprës në fjalë. Shkrimtari
Xhahid Bushati paraqiti esenë me titull “….marr frymë ajrin e Atdheut”.
Kumtesa e studiuesit Gjovalin Çuni, të cilën në mungesë të tij e
paraqiti pedagogia e Letërsisë Ermira Alija, kishte të bënte me
polemikat dhe diskutimet që autori kishte me personalitete intelektuale
të kohës. Historiani Ardian Muhaj, punojës shkencor pranë Institutit të
Historisë në Tiranë, paraqiti studimin mbi personalitetin liridashës dhe
qëndrestar të Gjylbegajt përballë dhunës së diktaturës. Në aktivitet,
përveç shumë miqve të Bibliotekës, morën pjesë edhe pasardhës të familes
Gjylbegaj të cilët falenderuan studiuesit dhe stafin e Bibliotekës për
organizimin e kësaj veprimtarie. Kumtesat do të botohen në të ardhmen në
organet e shtypit të Bibliotekës "Marin Barleti".