Shumë i trishtë ishte lajmi për ndarjen nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit të Bibliotekës tonë, z. Gëzim Juka!
Gëzim Juka ishte një trashëgimtar, përfaqësues dhe vazhdues i denjë i familjes fisnike të Jukajve të Shkodrës, e cila ka dhënë një kontribut me vlerë në lëvizjet për pavarësinë kombëtare, mbrojtjen e Shkodrës si dhe në shtetfomimin shqiptar.
I edukuar me një frymë qytetare dhe intelektuale, në kushte të privimit të studimeve, Gëzimi u shkollua në mënyrë
autodidakte duke krijuar profilin e një intelektuali të mirëfilltë.
Me seriozitetin që e karakterizonte, me sjelljen e mirë, përkushtimin ndaj të tjerëve, ai gëzonte një respekt dhe besim në shoqëri, pavarësisht se u përball me pengesa të jashtëzakonshme për arsye të përndjekjes politike.
Në fillim të viteve 90’ ai pati një karrierë të gjatë si nëpunës në administratën publike, si dhe në kompani private të sektorit të hoteleri-turizmit.
Gëzim Juka ishte një shembull i intelektualit aktiv, studiues dhe hulumtues i kujdesshëm i materialeve arkivore. Ai dha një ndihmesë të madhe në pasurimin e memories historike të Shkodrës duke shkruar artikuj në organe të ndryshme të shtypit si dhe gjashtë libra me përmbajtje historike. Ai u bë shumë shpejt një nga autorët më prodhimtarë të letërsisë memorialistike në veçanti për zonën e Shkodrës. Shkrimet e tij bazohen në mënyrë strikte në dokumente arkivorë me të cilat ai hedh dritë në shumë çështje të pazbuluara më parë.
Librat “Shteti shqiptar dhe Shkodra 1912-2012”, “Dokumentet tregojnë”, “Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit”, “1990”, “Familja Juka në Shkodër”, etj, paraqesin një këndvështrim të ri të realitetit shqiptar gjatë shekullit XX.
Gëzimi qe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Revistës Gegnia që në fillimet e saj. Rubrika historike e kësaj reviste përmban pothuajse në çdo numër artikuj të shkruar nga ai.
Stafi i Bibliotekës “Marin Barleti” i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve!
I paharruar qoftë kujtimi i tij!