N’ atë rrahe t’vdekunve mbrenda vorrit t’ errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errë,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’ eper m’ sharte vrejnë t’ njerzimit!
T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’ asht kputë, i cili bite n’ zemer
Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largu
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e mësueme!
Ehu! Po; “vdekja, qi baras n’ derë t’ pallateve
Trokllon, si n’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove, porsi vesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun
Hithat e madergona! Nji Kryq dëllijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë ta vu té kryet,
Nder to ka humb, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë vajit t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi nëpër curra t’ malit
Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjëmue!…