U lind më 1920 në Kotorr në një familje shkodrane, i biri i Jak Zorbës (1877-1946) dhe Elena Skanjetit, mbesa e Kolë Idromenos. I ati ishte njohës i serbo-kroatishtes, italishtes dhe frëngjishtes; ndër përkthimet e tij Tre musketierët e Konti i Montekristos kanë humbur dhe vetëm Siloani dhe Milena (1901) dhe Milienko e Dobrila (pa datë) i kanë mbijetuar kohës. Më 1924 familja u kthye në vendlindje. I ati punoi kryetar komune në Gur të Zi (1925-1928) dhe më vonë administrator i Kafes së Madhe.
Pasi ndoqi dhe kreu shkollimin fillor e të mesëm në Shkodër, më 1941 u regjistrua në Universitetin e Padovës për Shkenca Politike. I ndërpreu studimet më 1943 për shkak të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore dhe u kthye në qytetin e prejardhjes, ku u punoi në një bankë.
Më 1945-1946 u punësua si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër,[2] asokohe ka vënë në skenë pjesët Juda Makabe të Fishtës dhe Armiku i Popullit i Ibsenit, përkthyer nga vetë Zorba. Më 1946 u arrestua në valën e përndjekjes së qytetarëve e intelektualëve pas Kryengritjes së Postrribës, u dënua dhe burgoset për agjitacion e propagandë. Vuan dënimin nëpër kampet e punës deri më 1951.
Më vonë punon në ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si llogaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërroi jetë në janar 1993.
Poezi
Libri i tij i parë, Buzë të ngrira në gaz, u botua pas vdekjes pasi kishte shkruar tinëz përgjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, cilësuar si "letërsia e sirtarit". Çmohet si një poet i veçantë i letërsisë shqiptare dhe përfaqësues kyç i modernizmit dhe hermeticizmit.[6]
Është cilësuar ndër autorët klandestinë me Kasëm Trebeshinën, Daut Gumenin, Primo Shllakun që në qerthullin e vogël të tyre rimerrnin fillin e këputur të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkëmbnin lidhjen me autorë si Kuteli, Koliqi e Poradeci.
Përkthime
Përktheu autorë si Robert Frost, dramaturgë si Shau, Pirandelo, Uajlld, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. La në dorëshkrim: T. S. Eliot (Katër Quartete, Pritje koktej, E mërkura e përhime) Robert Frost (Poema), Oscar Wilde (Rëndësia e seriozitetit) si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Wilder, O’Neil etj.