Biblioteka shkencore e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi’ në bashkëpunim  me bibliotekën  "Marin Barleti’, promovuan ditën e mërkurë në sallën e konferencave "Walter Höflechner’ faqen elektronike "Arkivat dixhitale Shkodër’ – adsh.unishk.edu.al.

Këtë veprimtari promovuese e hapi drejtoresha e bibliotekës universitare, znj. Alida Luka, e cila e vlerësoi shumë punën kolosale të bërë nga stafi i dy bibliotekave për dixhitalizimin e një volumi të madh fondesh të bibliotekës.

Duke folur në këtë kontekst, drejtori i bibliotekës "Marin Barleti’, z. Gjovalin Çuni, theksoi se bibliotekat dixhitale kanë si qëllim përhapjen e dijeve botërore, si dhe shërbejnë për të kuptuar diversitetin dhe pasuritë e botës jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për gjeneratat e ardhshme.

Koleksionet e prezantuara janë peridokë, libra dhe dorëshkrime arkivore të periudhave të ndryshme. Nga periodikët do të përmendnim: "Leka’, "Agimi’, "Cirka’, "Përpjekja shqiptare’ dhe gazetën "Posta e Shqypnis’. Dyzet e pesë librat e dixhitalizuar përfshijnë një gamë të gjerë kohore dhe larmi tematike. Do të veçonim "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princ i epiriotëve’, një vepër e famshme e humanistit shkodran Marin Barleti. Libra të tjerë të dixhitalizuar janë tekste shkollore, abetare, studime historike e filologjike, folklor, letërsi artistike, pedagogji, përshkrime udhëtimi.

Kjo paraqitje elektronike cilësohet si nisma e parë në këtë drejtim nga ana e bibliotekave shqiptare. Arkivi funksionon si një faqe e hapur, që synon të promovojë brenda  tij  të gjitha vlerat e pasura arkivore të bibliotekave të Shkodrës dhe më gjerë të tërë institucioneve kulturore të këtij qyteti.

Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi’ ka marrë përsipër dhe ka siguruar serverin e nevojshëm për grumbullimin e këtij informacioni të rëndësishëm.

"Të tejkalosh hendekun dixhital është një element thelbësor i realizimit të objektivave të zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara’, - thuhet në Manifestin e IFLA-s për bibliotekat dixhitale. 

Në këtë aktivitet u kumtuan ligjëratat e mëposhtme:

Nisma dixhitale në Bibliotekën Universitare – Alida Luka, drejtore e Bibliotekës Universitare

Arkivi dixhital, qasje e re e trashëgimisë kulturore – Gjovalin Çuni, drejtor i Bibliotekës "Marin Barleti’

Dublin Core dhe skeda dixhitale – Olimpia Kakarriqi, përgjegjëse e fondit Albano-Ballkanologjik

Menaxhimi i arkivit – Siditë Halluni, IT (Biblioteka "Marin Barleti’)

Teknologjitë e përdorura në Arkivat Dixhitale – Gjergj Sheldija, IT (Biblioteka Universitare)

Ishte e pranishme në këtë veprimtari edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, e cila në përshëndetjen e saj shprehu urimet më të mira për këtë projekt të frytshëm, si dhe u tregua e gatshme për të krijuar mundësinë e një bashkëpunimi me bibliotekën e Kuvendit. Duke vlerësuar fondet e pasura të të dy bibliotekave, ajo theksoi se pasqyrimi i dixhitalizuar kërkon një punë me pasion.

Takimi u mbyll me diskutime, sugjerime dhe urime, që erdhën nga ana e profesoratit të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi’.