Profesor Jup kastrati u lind në Shkodër, më 15 Prill 1924 dhe u nda nga jeta më 22 Shtator 2003. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930 - 1935), gjimnazin klasik (1936 - 1940) dhe liceun real (1941 - 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht - nëntor 1942) ka qenë edhe në Liceo scientifico “Galileo Ferraris”, në konviktin “Umberto I”, në Torino. Por shpejt do të kthehej në Shqipëri.
Prej bindjeve antifashiste, autoritetet gjatë pushtimit italian e internuan në kampin e përqëndrimit, Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër e në burgun e Prizrenit (korrik - shtator 1943).
Pas çlirimit ka kryer studimet e larta në fakultetin e filologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Tema e tij e diplomës titullohet: "Kontribute për studiumin e Ndre Mjedës" 1958 . Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: "E folmja e Thethit" (1962). U bë Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin "Historia e gramatologjisë shqiptare" (1935-1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 iuështë akordua titulli Profesor.
Profesor Jup Kastrati ka shërbyer në arsim 47 vjet (1946-1993), nga të cilat 37 vjet në arsimin e lartë. Është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, më 2 shtator 1957, si dhe ka punuar gjithashtu për themelimin e Universitetit të Shkodrës.
Titujt shkencorë që ka mbajtur Profesor Dr. Jup Kastrati, përfshijnë titujt: Docent, Doktor i Shkencave, Profesor.
Profesor Jup Kastrati ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje, Përgjegjës i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 – 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 – 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi” (dhjetor 1957 – janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989). Ka qenë shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Institutin të Lartë Pedagogjik të Shkodrës më 1973-1990.
Profesor Jup Kastrati ka qenë ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj. Profesor Jup Kastrati ka qenë Drejtues Kërkimesh (1995), Shef (përgjegjës) i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990), Ordinar i Historisë së Albanologjisë. Gjithashtu ka mbajtur ligjërata problemore, universitare e pasuniversitare, në Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë. Ka drejtuar gjithashtu periodikët, Buletin i Shkëmbimit te Eksperiencës 1954, Buletini Shkencor I ILSh 1957-1958,1964-1990, si dhe Almanakun "Shkodra" 1961-1976. Ka marrë pjesë në redaksitë apo kolegjiumet e këtyre botimeve: Anëtar i redaksisë së revistës Gjuha jonë (1981 – 1985), organ i Akademisë së Shkencave; Anëtar i redaksisë së revistës Lidhja (L’Unione), Kozencë (1991 – 1992); Anëtar i Këshillit botues të gazetes Besa, Organ i Shoqatës atdhetare kulturore “Kosova”, fletore e përjavshme, Shkodër (1991); Anëtar i Këshillit redaktues të botimit: “Meshari” i Gjon Buzukut – Monument i kulturës shqiptare (Material nga Sesioni shkencor, mbajtur me 19,20 maj 1995 në Ulqin, ART-CLUB, Ulqin (1995); Anëtar i redaksisë së botimit shkencor: 90 – vjetori i Kongresit të Manastirit, Gostivar (1998); Anëtar i Redaksisë së gjuhësisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1998 / 1999;
Ka qenë projektues, redaktor ose anëtar redaksie apo zv/kryeredaktor o përgjegjës redaksie i 15 botimeve shkencore e kulturore: 10 – vjetori i themelimit të Institutit të Lartë Pedagogjik, Shkoder (1967); Kongresi i Manastirit, Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër (1969); Për përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore letrare, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1972); Çështje të folklorit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1973); Pashko Vasa – Luigj Gurakuqi, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1976); Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1978); 100 – vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Aleksandër Xhuvani, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Instituti i Lartë Pedagogjik: 25 – vjetori i themelimit, 1957/1982, Shkodër (1982); Anton Xanoni, Universiteti Shtetror i Tiranës, Tiranë (1962); Instituti i Lartë Pedagogjik: 30 – vjetori i themelimit, 1957/1987, Shkodër (1987); Miss Edith Durham, Koplik (1997) etj.
Profesor Jup Kastrati është autor i shumë veprave. Brenda viteve 1956-1999 ka botuar 40 vepra, shumica e të cilave gjenden edhe në bibliotekën publike ‘’Marin Barleti’’.
Përmendim kontributin e qenësishëm studimor të Tij mbi arbëreshët i cili numëron disa vepra ndër të cilat përmendim: “Studime për De Radën” Monografi, Nju-Jork, 1999; “Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat)” Monografi, Tiranë, 1979; “Autobiografia e De Radës” ( 1999); “J. De Rada, Këngë të Milosaut”, (1956); Jeronim de Rada “Jeta dhe veprat” (1962); “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare” (1962, 2003); “J. De Rada, Skanderbeku i pafanë”, (1987); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Bibliografi (1454 – 1835). Veprat historiko – filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës, në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA). Gjithashtu "Bibliografia e Ndre Mjedës" 1967, Sintaksa e Gjuhës Shqipe 1974, Histori e Gjuhësisë Shqiptare 1969/1970, "Zef jubani, jeta dhe veprat" 1987, "Faik Konica, jeta dhe veprat" 1995 etj.
Për merita të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, Profesor Jup Kasdtrati është nderuar me titujt: "Arsimtar i Dalluar" (1954), "Medalja e Punës" (1959), "Urdhëri “Naim Frashëri”, Kl. II , (1970), "Mësues i merituar" (1979), "Mësues i Popullit" (Me rastin e 100 – vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1987) dhe "Mjeshtër i Madh i Punës" (15 prill 1999). Më 1987 i është akorduar titulli Profesor (Professor Emeritus), në Këshillin shkencor të Universitetit të Tiranës, si dhe ne vitin 2001 i jepet titulli "Intelektual ndërkombëtar" në Kembrixh. Në vitin 2002 Instituti Ndërkombëtar i Biografive i akordon titullin, "Mendje të ndritura të shekullit 21’. Ndërsa në vitin 2002 , Këshilli Bashkiak i Shkodrës i akordon titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës” .
Emri i Profesor Jup Kastratit është vendosur tashmë në panteonin e figurave kombëtare për kontributin në disa prej fushave më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë, gjuhësia, analiza kritike letrare dhe përkthimi.