Hilë Mosi u lind në Shkodër me 22 mars 1885 dhe vdiq me 21 shkurt 1933 në Tiranë. Mosi ka qenë veprimtar dhe përhapës i çështjes kombëtare, figurë e publicistikës si dhe e politikës shqiptare pas pavarësisë.
Mosi në moshë të re nisi të shkruante vjersha dhe aty-këtu edhe proza, me pseudonimet Lirijasi, Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Dushmani etj. Ishte bashkëpunëtor në “Albania”-n e Konicës, në “Drita” e Sofjes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija" e Selanikut, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Ortodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, “Agimi” i Shkodrës etj.
Në vitin 1913 themeloi dhe drejtoi së bashku me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavshme “Shqypnija e Ré” e cila e vijoi botimin deri në fillimin e luftës botërore.
Në vitin 1913 Mosi botoi në Trieste një grumbull poezish me emrin “Zân'i atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku përthekohet malli për atdhe. Vepërza “Lotët e dashtniës”, e botuar në vitin 1916 përfshin një tufë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu të shumëllojshme. Një pjesë e këtyre lirikave janë origjinale, ndërsa të tjerat janë përkthime të lira autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj.
Në një vëllim të vogël në vitin 1924 përmblodhi nën titullin “Kangët Shqipe” disa prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritësve të 1911-ës, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës.
Hilë Mosi ka gjithashtu një meritë të veçantë për historinë e letërsisë shqipe, për poezinë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-191) në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së hekzametrit në shqipe, provë e cila ka dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm.
Përktheu po ashtu “Cubat” (Die Räuber, 1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ka punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare, gjithashtu “Filja” dramë tri aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellë ngjarjen në Kurbîn rreth kullës së Kapitan Gjekajt. Gjithashtu nga Goldoni përktheu komeditë “Shërbëtori i dy zotnive” dhe “Dy Shërbëtorët”. Dorëshkrimi i tij i përkthimit të veprës së Gëtes "Vuajtjet e djaloshit Verter" (Die Leiden des jungen Werthers) ka mbetur i pabotuar.